PARKU MBI ASFALT E ASFALTI MBI KUFOMA
Lulzim Tafa
(Kam dilema se si ta quaj këtë shkrim, mahi, parodi, kozeri …,sido që të jetë mos e merrni shumë seriozisht, më së shumti që lejohet është të lexohet si humor i zi)
Paradite
U gëzuam shumë në atë sabah të gëzuem. Në të gjitha TV-të, gazetat, portalet, rrjetet sociale u dha lajmi se barrikada e hidhur me zhavorr mbi urën që ndan qytetin e Mitrovicës po hiqet. Shyqyr thash, pa e ditur madje edhe pa më interesuar as kush po e heqë as pse po e heqë. Asgjë tjetër nuk kishte rëndësi, rëndësi kishte që ajo po hiqej. Në atë moment mu kujtua një këngë e bukur folklorike (sa pak kemi folklor) e Shkurtes ‘’Jo nuk ndahet Mitrovica, pa u faru djem e çika”. Thash sa mirë që as nuk u nda Mitrovica e as nuk po farohen djem e çika, dy gjëra të bukura po ndodhin përnjëherësh.
Ishte vërtet lajm i mirë, ngase pamja më e egër e Evropës po fshihej prej rrugës. Njerëzit atje do të lëvizin lirshëm; djem e çika, shqiptar, serb, boshnjak e pjesëtarë të pakicave tjera, pjesë të dekorit demokratik të shtetit më të ri të Evropës.
I mora inati edhe vetës edhe të tjerëve që nuk shkuam atje për të shijuar nga afër, për të marr nga një grusht dheu e zhavorri (siç bënë gjermanët kur e rrëzuan murin e Berlinit) si kujtim të një kohe të çmendurisë njerëzore, se natyrshëm pa qenë i çmendur rruga nuk mbyllet. Nejse. E pranoj se jam pak euforik. Kur më thanë se vetë serbët po e heqin barrikadën, më erdhi edhe më mirë e bëra plan ku ta takoj serbin e parë me e përqafu shumë si në kohën e vëllazërim bashkimit e të Mareshalit Tito. Bile thash ku janë ata shkrimtarët e ktynehershit të socrealizimit, që nuk qohen me e shkru një këngë ‘’Jo nuk ndahet Mitrovica e Titos”. Gjenerata ime e mbanë në mend që Mitrovica dikur quhej Mitrovica e Titos, (thash bile shyqyr që Tito vdiq me vakt e se priti ndarjen e Mitrovicës se kish me u mërzitë shumë, bile ma shumë se kur u nda Jugosllavia hahaha, edhe unë qysh jam mësu me ba hajgare).
Nuk munguan as reagimet e institucioneve të Kosovës, e sidomos të Kryetarit të Mitrovicës këndej lumit, por s’po dua t’i komentoj ato.
Pasdite
Si bestyt që jam mu ba shumë merak, se kur kam qenë i vogël thoshin: thonjtë e kamës dhe të dorës nuk bënë me i pre për një ditë se të del gëzim edhe idhnimi për një herë.
Me gjasë kjo ndodhi edhe me mua po atë ditë, por pasdite.
Nisen të dalin lajme se ura po mbyllet përsëri (thash mosni vllazni mos bani hajgare me ne), por për dallim prej barrikadës së parë tani po e mbyllin me lule, po e ndajnë Mitrovicën me gjelbërim, me park, bile parku i paqes ia kishin lanë emrin!
Policia e Kosovës po e siguronte mbarëvajtjen e krijimit të parkut të paqes. Zëdhënësi i policisë tha se ne nuk mundemi të intervenojmë se është vendim i organit kompetent të Mitrovicës së Veriut, që këtu të bëhet park. (Ua çfarë kompetenca paskan kryetarët e komunave me i ba rrugët parqe!). Më lindi një ide e marrë me e thirr Burim Berishën, kryetarin e Fushë Kosovës e me ja dhanë idenë, që në hyrje të Fushë Kosovës ta bëjë një park të tillë midis rrugës, e ta ndalojë Drenicën e Dukagjinin të mos vinë në Prishtinë, në mënyrë që ta shijojmë pak pushtetin edhe ne rrafshi i Kosovës. Pastaj thash ma mirë nuk po e mbyllim sepse na rrafshi nuk kemi përkrahje ndërkombëtare, qysh kanë Drenica e Dukagjini, bile na rrafshi as përkrahje kombëtare nuk kemi, se lëre më ndërkombëtare. Ndoshta do të mund të bënim koalicion me Llapin, edhe pse Llapi bukur gjatë ka qenë pjesë e pushtetit të RKS-së, herë në koalicion me Drenicë e herë me Dukagjin. Nganjëherë më duket afërsisht si LSI-ja në Shqipëri (Shiko çka flas edhe unë hahaha).
Vrapova t’i shoh lajmet, po çka me pa?! Kryetari i Mitrovices së Anehit, Rakiç e kish emrin, tha, Ky është parku i paqes. E bëmë pasi u konsultuam me institucionet tona në Beograd (kryetar i zgjedhur në zgjedhjet e organizuara nga Kosova dhe institucioni i saj, KQZ-ja!). Të them të drejtën u bëra shumë nervoz, bile mirë që për fat nuk e takova asnjë serb, se në vend që me e kap për qafe, kisha me e kap për fyti (interesant qafa e fyti sa afër janë). Në atë nervozë fillova me u perla me vete e ndër të tjera vetes i thash: Po a janë këta serbë që na kanë vra e na kanë pre, që kanë vra gra e fëmijë, e pleq, e plaka, po a janë këta serbë e ata serbë, që e qitën asfaltin mbi kufoma në Rashkë!? Ata janë që e qitën asfaltin mbi kufoma në Rashkë, tash ata po e qesin edhe parkun mbi urë. Vetë folsha e vet përgjigjesha.
E tërhoqa një paralele mes Rashkës, asfaltit mbi kufoma atje, e parkut mbi asfaltin e urës së Mitrovicës këtu. Të dy këto vendime i kanë marr Institucionet e Serbisë, që iu referua Rakiqi. Nuk dita çka me than tjetër përveç, Zoti i Vraftë!
DEMOKRACIA DHE PLAKU I VITEVE ‘90
Lulëzim Tafa
Edhe si nxënës i shkollës së mesme i drejtimit Juridik, e më vonë, edhe si student i Fakultetit Juridik kisha pasur fatin që më herët se moshatarët e mi (të paktën ata të profileve teknike apo matematiko- natyrore) të mësoja për demokracinë, dhe sidomos edhe për gjenezën dhe nocionin e saj.
Na kishin mësuar se fjala Demokraci rrjedh nga një fjalë e huaj (greke), që përkthyer në gjuhën tonë do të thoshte (të paktën atë kohë) sundim i popullit apo sundim i shumicës.
Informacionet që në atë kohë kishim për demokracinë mua dhe kolegët e mi na kishin zënë bukur të përgatitur për këtë term gati utopik për kohën – muri i Berlinit ra, filluan të fryjnë erërat demokratike edhe kah ne.
Ne kosovarët filluam betejën e dyfishtë; edhe për liri edhe për demokraci. Njerëzit në demonstrata brohorisnin pa ndërprerë De-mo-kra-ci, De-mo-kra-ci (është e kuptueshme që ndonjë të mos e ketë pasur edhe shumë të qartë ç’është demokracia). E thashë, ne të juridikut ishim më IN sa i përket kësaj çështjeje, edhe pse, dorën në zemër, ne demokracinë në shkollë e mësonim si një ide jo të mirë dhe e mësonim për krah autokracisë.
Nuk e kam harruar asnjëherë dhe besoj që nuk mund ta harroj as në të ardhmen pyetjen që më kishte bërë një i moshuar rreth të shtatëdhjetave në atë kohë.
“A më tregon çka është kjo farë Demokracia?” Dhe, unë me entuziazmin e kohës, fillova t’i përgjigjem madje më shumë përkushtim, gati ashtu siç do të isha përgjigjur në provimin e ,, Filleve…” përpara profesorit, në provimin me gojë në fakultet, pikë për pikë, duke ia cituar atij atë që na thoshte libri.
“Leje më tha se nuk je kah e di hiç?” dhe e vazhdoi : “Demokraci d.m.th. Republikë, por meqë Republikë është fjalë e ndaluar atëherë po thonë Demokraci”. Edhe pse e pashë që ai ishte thellë i bindur se Demokracia ishte sinonim i Republikës dhe se plaku e kishte pa të keq. Kjo që ai më tha se “nuk je kah e di çka është Demokracia”, më irritoi shumë, gati sa edhe nuk më skandalizoi.
Plaku m’u duk shumë shpërfillës, sepse ai nuk i vlerësoi informatat e mia për historinë e demokracisë, që në Greqinë e lashtë, Athinën, faktin që i përmenda shekullin V p.e.s dhe zanfillën e demokracisë, mandej as përmendjen e emrave si Aristoteli, Sokrati apo Platoni dhe demonstrimin e demokracisë ”live” – të ”eklizës” popullore, ku populli manifestonte demokracinë përmes një kuvendi. Ai nuk përfilli as referencat e mia te disa filozofë ilimunistë të dy -tre shekujve më parë. Ai, tashmë e kishte ndarë mendjen se unë s’e dija çka është demokracia.
Në mendjen e tij ai ishte qartësuar krejtësisht se arsyeja e shpjegimeve të mia aq të komplikuara ishte vetëm rezultat i mosdijes sime për demokracinë, duke i qëndruar i palëkundur konstatimit të tij definitiv se unë s’kam haber rreth dmokracisë.
Konsideroja se kisha të drejtë madje edhe pretendoja se e dija saktësisht, se i dija edhe shtyllat e saj, dija t’i numëroja por edhe t’i zbërtheja dhe interpretoja, dija çfarë trajte e sundimit është, cilat ishin sidomos ,,mangësitë” dhe ,, hiletë e saj” e edhe çfarë mendonte një ish-kryeministër britanik me emrin Winston Churchill, edhe pse , të them të drejtën, mendimi i tij më frikësonte. Kuptohet se më së shumti dija për disavantazhin që ka ajo përballë sistemit tonë ,,brilant” socialist dhe diktaturës së proletariatit, ,,barazisë” së kombeve dhe kombësive tona. Ashtu na mësonin në shkolla e fakultete.
Por, sistemet totalitare në Evropën Lindore po jepnin shpirt, diktatorët po binin një nga një, po fillonte demokracia, pra ajo demokraci që përmendej qysh në Greqinë e lashtë.
Plaku nuk e pranoi dot shpjegimin tim për demokracinë edhe pse nuk kishte dy ditë që shtëpia e lirisë apo Freedom House siç i thoshin agjencitë e huaja të lajmeve në atë kohë, kishte publikuar për çudi një raport mjaft impresiv për gjendjen globale me demokracinë, pjesë të të cilit raport unë po ia citoja atij, apo thënë më mirë, po e lodhja me ato frazeologji të pakapshme për plakun dhe kohën.
Nga ajo kohë kaluan 22 vjet, bota ndryshoi shumë, edhe rajoni ynë ndryshoi, ndryshova edhe unë. Përjetova edhe demokracinë në vendin tonë, pashë shumë ngjarje e zhvillime, e pashë sundimin e shumicës,respektimin e të drejtave të pakicës,pluralizmin, sundimi e ligjit, zgjedhjet e lira, transparencën, llogaridhënien, kompromisin etj., etj . I pashë të gjitha.
Të gjitha i pashë, por humba iluzionin tim dhe pretendimin se e dija çka është Demokracia. Tani e pranoj se unë nuk e di ç’është ajo dhe u binda se konstatimin e plakut i viteve të 90-ta, ndonëse nuk ishte i drejtë fiksimi i tij për Demokracinë, se “unë nuk e di çka është Demokracia”, më nuk e kontestoj. Këtu ai kishte të drejtë, unë jo.
Plaku ka një dekadë që ka shkuar në amshim, demokracia ende është aktuale, por gjithnjë e më abstrakte, madje edhe më e ndërlikuar sesa ia kisha paraqitur plakut të viteve të 90-ta unë atë kohë, si student.
PËRGJIMET HTTP://KOHA.NET/?ID=8&ARKIVA=1&L=70445
Lulëzim Tafa
Njëra ndër temat më të përfolura në publik, kohët e fundit, pa dyshim se janë përgjimet.
Po, çfarë në realitet janë përgjimet, sa janë të mbrojtur qytetarët me ligj, sa janë të informuar dhe sa janë të mbrojtur realisht ?
Dispozitat e Kodit të procedurës penale në kapitullin e XXIX: ,,Masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit”, me dymbëdhjetë nene (nga neni 256 deri 268), si dhe, me dhjetëra paragrafë e rregullojnë në mënyrë të qartë çështjen e përgjimit, incizimeve, fotografimit dhe masave të tjera të fshehta, të cilat në bazë të legjislacionit penal të Kosovë dhe të shumicës së vendeve me legjislacione penale moderne e rregullojnë këtë çështje.
Këto ligje bëhen për dy arsye:
Që askush të mos abuzohet nga këto masa, të sigurohet mbrojtje efikase juridiko-penale e mbrojtjes së privatësisë së qytetarëve, por në anën tjetër është siguruar që për çështje hetimore në raste të përcaktuara me ligj edhe mund të bëhen sipas asaj që është përcaktuar me Kodin e procedurës penale.
Në të kundërtën përgjimet, fotografimet, cenimet e bazës së të dhënave apo korrespodencës së letrave, qoftë të kopjeve fizike apo të e-mailave në mënyrë të paautorizuara janë Vepra Penale, dhe kryesit e këtyre veprave penale përgjigjen, apo së paku duhet të përgjigjen penalisht për këto lloje të veprave penale, që e cenojnë jetën private të qytetarëve.
Tani, kur është shumë në modë dhe flitet kaq shumë për këto përgjime dhe njerëzit shprehin frikën e arsyeshme se privatësia e tyre mund të cenohet me anë të këtyre përgjimeve, incizimeve, fotografimeve apo veprimeve të tjera të ngjashme, është mirë që qytetarët ta njohin së paku infrastrukturën ligjore e cila i mbron ata nga këto abuzime.
Kuptohet se askush nuk ka të drejtë t’i bëjë këto përgjime, përveç organeve shtetërore, që i përcakton ligji. Ato i kanë pajisjet më të cilat mund të bëhet ky përgjim apo vëzhgim vetëm kur ekziston dyshimi i bazuar, se personi ndaj të cilit zbatohen masat e fshehta të vëzhgimit apo përgjimit, është i përfshirë në aktivitete kriminale dhe masat e fshehta do ta ndihmonin provimin e fajësisë për të dyshuarin, si dhe ndriçimin e shumë aktiviteteve tjera kriminale.
Fatkeqësisht, pajisjet e përgjimit, fotografimit dhe incizimit ndodhen edhe në dorë të qytetarëve si aparate, përgjues, incizues, por edhe si programe të caktuara kompjuterike që i njohin mirë hakerët, dhe sidomos krakerat, që mund të bëjnë edhe incizimin e paautorizuar, madje edhe të bisedave telefonike, të cilat më vonë edhe mund të përdoren për t’i shantazhuar viktimat e këtij përgjimi apo vëzhgimi.
Tani kur kryeprotagonisti botëror i publikimeve Asange tronditi botën me publikimet e veta të paautorizuara, na bënë të mendojmë më shumë, pasi “viktima” të këtyre përgjimeve më nuk janë vetëm qytetarët, por edhe vetë organet e shtetit, dhe bartësit e këtyre organeve (edhe pse përgjimet, kuptohet, nuk janë diçka shume e re), ato e kanë zanafillën e vetë shumë më herët, sidomos në kohën e luftës së ftohtë.
Se sa ligjdhënësit në gjithë botën, e edhe në vendin tonë, i kushtojnë rëndësi çështjes së ruajtjes së privatësisë fletë faktin se me legjislacionet e të gjitha vendeve të botës është siguruar një mbrojtje juridiko – penale e ruajtjes së kësaj privatësie.
Kodi Penal i Kosovës me nenin 170 e në grupin e Veprave Penale kundër lirive dhe të drejtave të njeriut ka paraparë si vepër penale “përgjimin dhe incizimin tonik të paautorizuar”, dhe ka paraparë dënimin deri në dy vjet burgim për kryesit e kësaj vepre penale.
Pra mund të themi se vendi ynë me këto ligje ka siguruar një mbrojtje solide juridike-penale sa i përket ndalimit të përgjimit dhe masave të tjera të cilët e dëmtojnë jetën private të qytetarëve tanë.
Problematika qëndron te çështja se si të eliminohet frika e qytetarëve, që ata të ndihen të sigurt, sidomos pjesa që i takon jetës së tyre private, sepse kjo e drejtë e tyre është e sanksionuar me ligj, dhe ata do të duhet të ndiheshin të sigurt.
S’ka dyshim se një dozë e madhe e pasigurisë së qytetarëve është shtuar pas deklaratës së publikuar edhe në media e Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës se telefoni i tij dhe i Kryeministrit po përgjohen !
Nuk jam i sigurt nëse ai këtë deklaratë përpara se ta jepte për publikun e ka dhënë aty ku duhet, sepse ata që e kanë përgjuar nëse nuk e kanë zbatuar ligjin, do të duhet që të përgjigjen para ligjit, dhe se deklarata publike, nëse nuk është dhënë më herët te organet përkatëse edhe mund t’i dëmtojë hetimet.
Pra ligji ekziston, madje një ligj shumë i mirë, por duhet vëmendje shumë më e shtuar, sidomos e prokurorëve ( pasi që, sipas ligjit ata janë udhëheqës të hetimeve), si dhe e gjyqtarëve të procedurës paraprake, që të kontrollojnë punën e hetuesve dhe të jenë më dorështrënguar kur i aprovojnë apo i japin masat e tilla në mënyrë që edhe hetuesit të djersiten deri sa të arrijnë t’i bindin personat kompetentë për të lëshuar urdhrin për masat e fshehta të vëzhgimit dhe përgjimit.
Sa është kjo dukuri e theksuar, unë nuk e di saktësisht, por e di saktësisht që qytetarët janë të frikësuar, dhe kur qytetarët janë të frikësuar se dikush po i përgjon, saktësisht e di që edhe demokracia është në rrezik, e para së gjithash më e rrezikuara është liria.
POPULLI NË KREDI, ATDHEU NË HIPOTEKË
Lulëzim Tafa
Sipas të dhënave që ka Banka Qendrore e Kosovës, thuhet se shuma e kredisë që qytetarët e Kosovës kanë ndaj bankave komerciale është rreth 1.6 miliardë euro (pa i llogaritur këtu kamatat, që mund të shkojnë deri në 1 miliard euro të tjera). Përveç kësaj, bankat për të lëshuar një kredi, kërkojnë si hipotekë trefishin e shumës së kredisë që e lejojnë, që do të thotë se mbi 5 miliardë Euro është vlera që bankat në Kosovë kanë peng apo hipotekë (referuar terminologjisë bankare).
Kuptohet, këtu nuk bëjnë pjesë kreditë e zeza apo fajdet ilegale, që i aplikojnë individë “të fuqishëm” ndaj bizneseve në vendin tonë, por dhe ndaj qytetarëve.
Pra, kjo temë nuk ka të bëjë vetëm me kreditë e hipotekat, por edhe me fajdet, reketin, përgjithësisht me problematikën e kësaj fushe, pa i ndarë bizneset dhe qytetarët, sepse nuk janë vetëm biznesmenët në kredi – kam përshtypjen që pjesa dërrmuese e popullit është në kredi.
Kredi për banesë e shtëpi, kredi për biznes, kredi për orendi, kredi për studime, kredi për martesë, kredi për veturë, kredi për pushime ,thjesht – kredi për të jetuar.
Sot ne jemi dëshmitarë, që bankat në Kosovë publikojnë, vazhdimisht, në faqet e gazetave se shesin prona të caktuara, sidomos hipotekat e vendosura nga bizneset dhe garantuesit e tyre.
Unë nuk e di nëse ata arrijnë t’i shesin, apo qytetarët ngurrojnë t’i blejnë ato për shkak se kosovarët nuk kultivojnë traditën e blerjes së hipotekave apo “pronës me fjalë”, siç i quajnë ata pronat e tilla, ndonëse më mirë qëndron puna me shitjen e “pengut të luajtshëm”, siç janë; veturat, kamionët, makinat e suvatimit, makinat për autolarje, sharrat e deri te makinat e qepjes dhe gjësendet e amvisnisë, që qytetarët i kanë të vendosura si hipotekë në banka.
Po ashtu, duke iu referuar evidencave që ka Rregullatori i bankave (Banka Qendrore e Kosovës), këto banka kanë të mbledhura 1,9 miliardë Euro depozita të qytetarëve, të cilat i ndërmjetësojnë tek ata që kanë nevojë të marrin kredi, ndonëse afërsisht bankat japin kredi me normën mesatare rreth 14%, kurse mesatarja e normave që ata ua paguajnë depozituesve nuk jam i sigurt nëse i afrohet 4%-shit, që do të thotë se diferenca ndërmjet marrjes dhe dhënies së kredisë, që aplikojnë Bankat Komerciale në Kosovë është së paku 10%.
Askush këtu nuk i fajëson bankat, ato janë legjitime dhe e bëjnë punën e tyre. Ne e dimë që ato nuk janë shoqata humanitare, ato jetojnë prej këtyre transaksioneve. Unë e kam hallin vetëm te qytetarët dhe bizneset, tek obligimet e tyre dhe vështirësinë që kanë për t’i kthyer ato kredi, te pronat e tyre që i kanë të vendosura në hipotekë, dhe që përditë bankat po ua nxjerrin në shitje për shkak të paaftësisë paguese të tyre. Është mirë që, së paku bankat po afarojnë me sukses, dhe po ndahen me fitime falë klientelës së tyre të nevojshme për mbijetesë.
Lartësia e normës së interesit, që aplikojnë bankat në Kosovës është shumë e lartë dhe e papërballueshme, por meqë jemi në kushte të ekonomisë së lirë të tregut, përcaktimi i këtyre normave është çështje e tyre, madje, mendoj se, ndërhyrjet e autoritetit të konkurrencës për dyshimet se ka pasur sinkronizim mes bankave për lartësinë e normës nuk i kam parë të argumentuara asnjëherë.
Vërtet kjo është një fatkeqësi, por, si në shumë fatkeqësi që ka, mund të dalë edhe ndonjë e mirë, dhe këtu e mira e madhe, apo fati është se Serbia, okupatori ynë, defenitivishti i ka humbur të gjitha gjasat që ndonjëherë të kthehet në Kosovë, sepse këtë, përveç që nuk do ta lejojmë ne, nuk do ta lejoj as bashkësia ndërkombëtare dhe bota liridashëse, por këtë nuk do ta lejojnë as Bankat Komerciale në Kosovë sepse një pjesë të madhe të territorit të vendit tonë tanimë e kanë në hipotekë dhe pronësi, madje pjesën më të mirë të territorit, që gjendet buzë rrugës së asfaltuar, kurse pjesa që bankat nuk e kanë pranuar për hipotekë, si male e toka të tjera djerrina, nuk i duhet pothuajse askujt, madje as okupatorit të deri djeshëm.
Derisa po merresha me këtë analizë, m’u kujtuan vitet e nëntëdhjeta , libri i Rexhep Qosjes “Populli i ndaluar”, pastaj libri i Agim Vincës “Populli i pandalur”, dhe duke e parë gjendjen me kreditë, numrin e qytetarëve të Kosovës që gjenden në kredi, duke pasur parasysh se për secilën kredi duhen edhe dy garantues, atëherë nuk e kemi të vështirë të japim konstatimin definitiv se Populli është në kredit, dhe ndoshta do të mund të dilte një libër mjaft atraktiv e i lexuar me titullin “Populli në kredi”.
E patë, unë që në fillim e trajtova seriozisht këtë problematikë, dhe në pamundësi që fajin ta hedh diku , që unë për vete nuk e di, vendosa që pjesën e dytë të këtij shkrimi ta bëj në parodi, sepse, vërtet, as unë nuk kam opinion të saktë lidhur me këtë.
Vetëm se, një gjë është e sigurt – kur Populli është në Kredi, Atdheu është në Hipotekë. E këtë e them pa mahi.
PREZUMIMI I PAFAJËSISË
Lulëzim Tafa
Të gjitha legjislacionet moderne penale në botë, të gjitha kushtetutat e vendeve demokratike të botës, të gjitha konventat ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, e njohin prezumimin e pafajësisë.
Por, çka është prezumimi i pafajësisë? Si përshkruhet në ligj dhe në akte të tjera, dhe së fundmi, si e sa respektohet në realitet? “Çdokush konsiderohet i pafajshëm deri sa nuk shpallet fajtor, me një aktgjykim të formës së prerë, të një gjykate kompetente”.
Pra, një person apo një i akuzuar konsiderohet i pafajshëm derisa të vendoset edhe në Gjykatën e Apelit, madje edhe nëse është shpallur fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë. Pra, derisa të përfundojë procedura me të ashtuquajturat “mjete të rregullta”, apo ankesa, konsiderohet i tillë, edhe pse edhe një aktgjykim i formës së prerë mund të atakohet (pas përfundimit të procedurës me mjete të rregullta) me mjete të jashtëzakonshme, por të cilat më nuk i japin personit të dënuar “prezumimin”, përjashtimisht në rast se aktgjykimi i atakuar prishet nga goditja me këto mjete.
Pra, siç po shihet, nuk ka gjë më humane sesa ligji. Ligji bëhet për t’u shërbyer njerëzve, prandaj edhe humanizmi i tij është i pakontestueshëm.
Neni 31, Pika 5, e Kushtetutës së Republikës së Kosovës thotë: “Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm, derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin”.
E njëjta gjë thuhet edhe në Nenin 3, të Kodit të procedurës penale të Kosovës. Pothuajse pikë për pikë të njëjtën gjë e siguron, shumë dekada më parë, Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, saktësisht në nenin 11. S’ka dyshim se edhe Kushtetua e Republikës së Kosovës, edhe legjislacioni ynë penal kanë qenë të obliguar që këtë formulim ta vendosin në dispozitat e tyre. Por, a mjafton kjo?
Gjëja e parë që më bije ndërmend, kur është fjala te prezumimi i pafajësisë, janë arrestimet me kamera.
Arrestimi është një masë shumë e rëndë, të cilin e ndërmarrin organet e përcaktuara me ligj vetëm në rastet, po ashtu të përcaktuara me ligj dhe paraqet masë ekstreme në procedurën penale
Organet e autorizuara janë të detyruara që ta zbatojnë këtë masë vetëm kur është e domosdoshme. Arsyet pse një person duhet të mbahet në arrest janë të përshkruara qartë në nenin 281, të Kodit të Procedurës Penale.
Secili hetues, secili prokuror dhe secili Gjykatës, duhet ta ketë të qartë, kur bëhet fjalë për masën e arrestit, se jeta e secilit njeri ndahet në dy etapa; para dhe pas arrestimit. Një njeri i arrestuar pa arsye, kurrë më nuk mund të jetë i njëjti njeri që ka qenë, sepse arrestimi paraqet tronditje të madhe të cilin nuk ka më çmim e as procedurë që e kompenson, madje nuk mund të kompensohet edhe me të ashtuquajturin rehabilitim ligjor, e as me kompensim dëmi, siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale në nenet 534-539.
Natyrisht se më të rëndat janë arrestimet me kamera, të cilave edhe u referohet ky shkrim, sepse dëmi që i shkaktohet kredibilitetit të një personi me këto arrestime është shumë i madh, madje do ta quaja edhe kriminal.
Arrestimet që po i shohim ne, pra që po kryhen me prezencën e kamerave, si rasti i disa mjekëve apo edhe rasti me guvernatorin e Bankës Qendrore, i cili pa paraqitur asnjë rrezik për organet e zbatim të ligjit, del, madje i buzëqeshur, me pranga në duar, janë të pakuptueshme. Është e pakuptueshme që dikush të pozojë me duar të lidhura dhe t’i buzëqeshë kamerës, sepse masa e arrestit është një akt serioz.
Për koincidencë me duar në pranga shfaqet edhe ish- kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar Dominik Shtraus-Kan, akuzat ndaj të cilit më vonë u tërhoqën. Çdo kush mund të thotë se ,,prezumimi” nuk u respektuaka as në vendet me demokraci të konsoliduar dhe të mbështetura në ligj, e lëre më në Kosovë, por ligji është ligj dhe këtu nuk ka kompromis. Dhe, unë, me qëllim e mora rastin e keq të Dominik Shtraus-Kanit, sepse bota ka edhe shumë shembuj të dinjitetshëm për të akuzuarit – Gjykata e Hagës është një model i mirë i trajtimit njerëzor të të akuzuarve.
Askush nuk i fajëson këtu kamerat e as mediumet, pasi ato janë në shërbim të informimit të qytetarëve, dhe me këto skena ata i plotësojnë hapësirat e tyre programore dhe i bëjnë më të shikuara mediumet e tyre, që është krejt normale, por problemi qëndron se kush i fton ata gjatë arrestimit të një personi, që nuk paraqet asnjë rrezik, i cili i përgjigjet edhe ftesës për t’u paraqitur përpara organit kompetent, qoftë edhe për t’i nënshtruar masës së arrestit.
Pra, këtu dikush dëshiron të shesë mend, prandaj dëshiroj t’ua kujtoj të gjithëve prezumimin e pafajësisë, sepse e patë – akuzat ndaj Domenik Shtraus Kanit u tërhoqën, për dëmi për të është i pallogaritshëm.
Çdokush duhet të ndiqet, por edhe të mbrohet, ashtu siç e përcakton ligji.
E DREJTA PËR JETË (EUTONAZIA)
Lulzim Tafa
E drejta për jetë është e drejta kryesore e njeriut. Është krye e drejta e të gjitha të drejtave. Të gjitha të drejtat e tjera janë të lidhur me të. Është e natyrshme që njeriu, që nuk jeton, nuk gëzon asnjë të drejtë.
Pra, ç’kuptim do të kishin të drejtat e tjera, e që janë të shumta, pa e pasur të drejtën për jetë.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ashtu si edhe të gjitha kushtetutat e tjera të vendeve demokratike e njohin të drejtën për jetë si të drejtën thelbësore. Neni 25, i kushtetutës së Kosovës në mënyrë të qartë e thotë; 1. Secili njeri gëzon të drejtën për jetën, dhe 2. Dënimi me vdekje është i ndaluar.
Askush askujt nuk ka të drejtë t’i ja marr jetën. Madje këtë të drejtë njeriu e fiton që në embrion, në trupin e nënës. Pra është e ndaluar vrasja e frytit, është e ndaluar edhe vrasja e fëmijëve që lindin me të meta të theksuara; të gjymtë, me mungesë organesh apo organe të tepërta, deformime të rënda, po ashtu është e ndaluar edhe vrasja e atij që pa të drejtë quhet “monstrum’’. Është e ndaluar edhe vrasja e njeriut të diagnostifikuar me çfarëdo lloj sëmundje, qoftë edhe të pashërueshme dhe të pashpresë. Ndalohet edhe vrasja e njeriut për të cilin është edhe krejtësisht e qartë se brenda një kohe të shkurtë do të vdes. Kushtetuta e Kosovës e jep të drejtën e jetës si të drejtë të pamohueshme nga askush. Është e vërtetë se në dispozita kushtetuese gjen edhe të drejtën në dinjitet, në administrim të trupit të vet nga secili, por e drejta për jetë është e garantuar. Ajo nuk mund të tjetërsohet.
Secili shtet dhe secili legjislacion, jetës i ka organizuar edhe mbrojtje juridike-penale. Edhe Kodi Penal i Kosovës në kapitullin e XVI, nën emërtimin veprat penale kundër jetës dhe trupit nga neni 178, ka përkufizuar 14 lloje të vepra penale (këtu hyjnë edhe veprat penale kundër trupit) dhe ka paraparë sanksione penale mjaft të larta për të gjithë kryesit e këtyre veprave penale. Në këtë kapitull janë veprat penale të vrasjes, të cilat e drejta penale i ndanë në tri lloje; Vrasjet e rënda, vrasjet e rëndomta dhe vrasjet e privilegjuara.
Po ky kod ka organizuar mbrojtje juridiko-penale edhe për jetën e ardhshme, pra e ka paraparë, ndër të tjera, si vepër penale edhe “Ndërprerjen e palejuar të shtatzënisë”. Kur i shtohet kësaj edhe shkalla e lartë e sanksionit penal të paraparë, që është edhe më e larta që gjendet në Kodin penal (në këtë kapitull, për disa vepra të këtij kapitulli parashihet edhe dënimi me burg të përjetshëm) shihet shkalla e seriozitetit që ka e drejta penale përball të drejtës elementare të njeriut, që është e drejta për jetë.
Kudo në botë, në qarqe edhe akademike e shkencore, por edhe në ato religjioze, zhvillohen diskutime dhe jepen mendime të ndryshme lidhur me atë që quhet “vrasje nga mëshira”, që ndryshe njihet edhe si Eutanazia (vdekja e mirë).
Në esencë, kuptimi i eutanazisë është menduar si pozitiv, por vetëm formulimi “Vrasje nga mëshira” përmban brenda vetes situatën më kontroverse që e njeh fjalori i një gjuhe. Pra edhe vrasje, që është vepër e rëndë penale, e ndaluar, e që është pjesë e fjalorit kriminal, por edhe mëshirë, që është një nga fjalët që e njehë fjalori human.
Pra kemi një përballje mes vrasjes dhe mëshirës. Mbi këto përplasje të skajshme gjendet edhe sot situata për aprovimin ose mos aprovimin e eutanazisë. Zëra pro e kundër ka, normalisht zërat kundër janë me shumicë, por përmbyllja e debatit, nxjerrja e konkludimit të dakorduar është pothuajse e paarritshme.
As religjioni nuk e lejon eutanazinë, dhe jo vetëm që nuk e lejon por edhe e ndalon, madje e sheh si mëkat shumë të madh, ndoshta edhe më mëkat se vrasjen klasike (nga jo mëshira). Religjioni e parasheh si mëkat të madh edhe vetëvrasjen. Kurse ligji nuk saksionon vetëvrasjen nga fakti se njeriut që vetëvritet nuk ka si t’i shqiptoj dënimin (por mos të harrojmë se shtytja në vetëvrasje është e ndaluar).
Përkufizime për eutanazinë ka shumë. Në përkthim të drejtpërdrejtë ajo thotë vdekje e mirë apo e lehtë. Eutanazia ose siç njihet në gjuhen shkencore Euthanasia, është një proces pa dhimbje që ndihmon një person me sëmundje terminale, pra vdekjeprurëse, te vdesë para kohe (me dëshirën e tij). Pra ta ndihmosh njeriun të vdes. Përkufizime të tilla të termit të eutanazisë gjenden edhe në shumë enciklopedi e fjalorë të ndryshëm. Derisa kuptimin burimor apo zanafillën e saj eutanazia paraqiste vetëm lutjen dhe dëshirën e njeriut për vdekje të mirë dhe të pa mundimshme (në popull të gjithë neve na ka rënë të dëgjojnë edhe lutje të njerëzve për të dashurit e tyre që lëngojnë nga ndonjë sëmundje e pashpresë, të luten të kthehen apo të gjejnë njërën rrugë). Pra, në një farë forme kjo është edhe eutanazia në gjenezën e saj, që nënkupton vetëm lutjen dhe dëshirën që dikush të vdes pa dhembje e vuajtje, por assesi nuk nënkuptonte ndërmarrjen e çfarëdo veprimi me të cilin merret jeta e njeriut, i cili vuan i pashpresë për jetë. Madje Kodi Penla i Kosovës i ka paraparë edhe dy vepra tjera penale, “mosdhënia e ndihmes” dhe “braktisja e personave të paaftë”.
Ashtu si krejt bota, edhe vendi ynë ka plot raste të rënda të sëmundjeve të caktuara, madje edhe për vite të tëra, që të shtynë të mendosh për eutanazinë. Personalisht në Qendrën Klinike Universitare, kur kam shkuar të vizitoj një të afërm, e kam parë një fëmijë që kishte rënë në koma në moshën gjashtë vjeçare pas një aksidenti, por që kishte tetë vite që nuk po zgjohej. Tash ai ishte afër moshës katërmbëdhjetë vjeçare. E pranoj se kam përjetuar, ndoshta, momentet më të vështira në jetë, por përsëri nuk jam hamendur, çka do të thotë se, edhe si profesionist, edhe si njeri, unë i them një Jo të madhe Eutanazisë. Ndoshta maksimumi do të ishte aprovimi i asaj eutanazisë burimore, lutje zotit për mëshirë dhe vendim, asnjë veprim tjetër. Duhet pritur vdekjen të vijë natyrshëm. Asnjë lloj vrasje nuk është e lejuar, e as ajo nga mëshira. I vetmi që ndihmon është mëshira e Zotit, e ne na mbetet vetëm të lutemi për mëshirën e tij.
PESË SHKRIMTARË TË MIRË
Lulzim Tafa
(Në këtë shkrim vendosa të shkruaj për pesë shkrimtarët e mi të preferuar për fëmijë, që nuk janë më me ne, por që pavdekësinë e fituan me krijimtarinë e tyre. Krijimtaria e tyre është e përjetshme. Kosova kishte dhe ka edhe shumë shkrimtarë të tjerë të mirë për fëmijë, por unë po i veçoj pesë prej tyre; Vehbi Kikaj, Rifat Kukaj, Ymer Elshani, Zejnullah Halili dhe Agim Deva. Pa dyshim përzgjedhja është edhe subjektive pasi që i kam njohur të gjithë. Kurse shkrimin e bëj vetëm nga pozita e një lexuesi që i kujton shkrimtarët e vetë, të cilët më nuk janë.)
Nuk e di cili vit ishte, por e di se isha fillorist në klasën e gjashtë apo të shtatë. E di vetëm se ishte data tetë dhe muaji mars. Pra ishte tetë marsi dita e nënave. Karvani i shkrimtarëve për fëmijë, që bënte xhiro nëpër Kosovë, u ndal edhe në shkollën tonë për të mbajtur një orë letrare. Në atë orë letrare, shkrimtarët më të njohur për fëmijë i lexuan vargjet e tyre. Pas tyre, edhe ne nxënësit i lexuam vargjet e tona. Unë në atë orë letrare lexova një poezi për tetë marsin, pastaj lexuan edhe disa nxënës të tjerë ashtu siç na kishin përzgjedhur arsimtarët. Ajo që ka mbetur përgjithmonë në kujtesën time është se pas përfundimit të asaj ore letrare mu afrua Vehbi Kikaj, ma shtrëngoi dorën, më përgëzoi dhe më tha; Ti do të behësh poet. Kisha lexuar romanin “Sarajet e bardha”, pastaj kisha lexuar librat me vjersha, ”Shtëpia ime ka sy”, “Zogu i argjendtë”, “Ecjen e mësoj prej Lumit”. Të them të drejtën, Vehbi Kikaj ishte shkrimtari im i preferuar dhe, edhe pse unë kisha shkruar pak vjersha për fëmijë, për mua ishte me rëndësi sepse sikur po e merrja bekimin e tij që të vazhdojë të shkruaj vjersha. Më duket se ia dëgjoj atë zërin e tij të butë, edhe kur foli me mua edhe kur lexonte poezinë, që ne e dëgjonim gojëhapur.
/Punëtorët sot në Obiliq/fëmijët i patën miq/ me ta biseduan gjatë/në fund u falen dhuratë/ (Shtëpia ime ka sy).
Ne kënaqeshim me vargjet e tij. Pastaj Rifat Kukaj, me poezinë e tij të bukur, me satirat e ëmbla, na tregoi shumë gjëra nga jeta e tij si fëmijë, mandej më kujtohet se ne qeshëm shumë kur na tha; po ju tregoj edhe një sekret; unë jam dashuruar shumë i vogël, që në klasën e gjashtë. Na e lexoi edhe një poezi, më duket se poezia quhej “Punë e madhe”.
Nuk vonoi shumë dhe Vehbi Kikaj vdiq. Mund të ketë qenë pak mbi moshën dyzetvjeçare. Nuk kishte pasur jetë të gjatë, por jetën e gjatë ai ia kishte siguruar vetës me krijimtarinë e tij. Kikajn edhe sot e rilexoj shpesh me shumë ëndje. Unë tani shkruaj për të rritur, por kur i lexoj shkrimtarët për fëmijë, mrekullohem, njësoj si atëherë.
Rifat Kukaj jetoi më gjatë. Pata nderin e privilegjin të jemi edhe kolegë. Shkonim bashkë nëpër orë letrare, ishim bashkë në “sofrën poetike”, në “takimet e Gjeqovit” etj. Më patë falur stilografin e vet, njëherë, derisa po ktheheshim nga një manifestim letrar, sepse i pëlqeu shakaja ime kur i thash, e ke lapsin e mençur, po shkruan mire, e ai e nxori nga xhepi stilografin e vet dhe ma fali, qe merre më tha. Rifat Kukaj shkruante edhe skenarë filmash (atyre që ju kujtohet filmi “Lepuri me pesë këmbë”, skenarist ka qenë Rifat Kukaj). Pastaj, ndokush edhe mund të mos e dijë që Rifat Kukaj është edhe tekst shkruesi i këngës hit “Baresha”, të kompozuar nga Rexho Mulliqi, e me interpretim të zërit magjik të Nexhmije Pagarushës. S’e di pse njerëzve pak u intereson se kush i shkruan ato tekste të bukura të këngëve që dëgjojmë. Tekst shkruesit sikur bien gjithmonë nën hijen e këngëtarëve dhe kompozitorëve. A mundet dikush të më tregojë se a bëhet kënga pa tekst? Pse kënga “Baresha” është këngë kaq e bukur? Është e bukur sepse e shkroi mrekullisht Rifat Kukaj, se e komponoi Rexho Mulliqi dhe e këndoi Bilbili. Ja pra çka do të thotë kur disa njerëz me vlera e krijojnë një supervlerë. Nuk ka asgjë të rastësishme këtu.
Me Ymer Elashanin, shkrimtarin nga Korretica, ndodhi një tragjedi. Gjatë luftës në Kosovë forcat serbe e vranë dhe e masakruan bashkë me nënën e tij, katër djemtë dhe gruan (masakra e tmerrshme e Poklekut). Po a vriten shkrimtarët more? Më kujtohen vargjet e Podrimjes A vriten pëllumbat bre. Çudi si i mbanë toka ata kriminelë. Ymeri ishte njëri prej shkrimtarëve më të mirë të letërsisë për fëmijë që kishte Kosova.
Zejnullah Halilin, Zoti e kishte krijuar që të jetë shkrimtar për fëmijë. Ai shkruante mirë, bukur i lexonte vargjet e veta, por ai shpesh i moderonte edhe orët letrare. Më kujtohet se fëmijët i duartrokisnin shumë atij. Ishte shkrimtar model.
As Agim Deva nuk është më. Agimi ishte një poet fantastik për fëmijë. Edhe Agimin e kam njohur më vonë si profesor i letërsisë për fëmijë. Kam pasur miqësi me të. Agimi e kishte edhe pamjen e një poeti të madh. Pamja e tij ishte ajo pamje, që kur lexon një libër për fëmijë, dhe nuk e ke idenë se si duket shkrimtari por vetëm e parafytyron, e tillë ishte edhe pamja e tij. Të tillë e kujtoj unë, të tillë e kujtojnë lexuesit.
Mos të harrojmë se këta shkrimtarë, dhe të tjerët shkrimtarë për fëmijë, e kultivuan dashurinë tonë për lexim. Me këta shkrimtarë ne ia zumë fillin leximit. I lexuam së pari ata, pastaj i lexuam të tjerët, shkrimtarë tanë e të huaj. Jam i sigurt se po të mos i kisha lexuar së pari këta, nuk do të kisha arritur t’i lexoj as Kafken, as Kamyn, as nuk do ta shijoja Lorken e Preverin.
Unë e kam të qartë ndikimin e madh që kanë shkrimtarët për fëmijë në formësimin intelektual të njeriut. Thjesht janë baza. Unë për vete u jam mirënjohës këtyre shkrimtarëve për fëmijë (Kikaj, Elshani, Kukaj, Halili e Deva) të cilët nuk janë më me ne, por, ishin shkrimtarë të mirë, andaj, mos i harroni, lexojini.
POETI, KUSHTETUTA DHE TANKSAT
Lulzim Tafa
(Me poetin Mirko Gashin më lidhin dy gjëra; poezia dhe datëlindja. Edhe Mirko edhe unë jemi lindur me 2 shkurt. E kuptoj se është koincidencë, por koincidenca është interesante, të paktën për mua)
Tregojnë se si në postën e Prishtinës në Dardani, në mars të vitit 1989, hyri një njeri korpulent. Dikush e njihte e dikush nuk e njihte. Njëra anë e këmishës i kishte dalë mbi pantallona e tjetra i kishte ngelur përfundi. Këpucët i kishte gjysmë të zbathura, duke ia shkelur thembrat. Ai ishte poeti Mirko Gashi, njëri prej poetëve më të njohur të Kosovës në atë kohë. Ishte koha e “miratimit” të ndryshimeve kushtetuese që suprimonin autonominë e Kosovës. Mirko nga sportelistja kërkoi të shkruaj një telegram. Ai e mori dhe filloj ta plotësojë. Telegramin po ja niste Sllobodan Millosheviqit e teksti telegramit ishte i shkurtë: Ta uroj Kushtetutën e tankeve.
Të gjithë kishin ngelur të habitur, madje punëtorët e postës nuk dinin si të vepronin më tutje. Kjo është ngjarja më interesante që deri në atë kohë kishte ndodhur në atë postë, ku ende të punësuarit ishin nga të gjitha nacionalitet. Teksti i “Urimit” ishte sprovë për ta.
Kush e ka njohur Mirkon e di, se Mirko me pamje ka qenë si një personazh mitik, pamja e tij nuk ka pasur mundësi të të lë pa vëmendje. Ndër të tjera ai kishte edhe pamjen e një artisti e shkrimtari të madh. Sa shumë përputhej madhështia në dukje, me përmasat artistike e krijuese të tij. Mirko ishte poet dhe njeri I veçantë. Unë e admiroja si poet. Në banesën e tij në Dardani, banonte edhe poeti rugovas, miku ime Sali Beqiraj. Mirkon e takoja shpesh, bisedonim për shumë gjëra e sidomos për “Koincidencën” e 2 shkurtit në të cilën ditë ishin lindur edhe disa shkrimtarë dhe artistë të njohur botëror. Mirko kishte sqarim për këtë, por meqë edhe unë jam i lindur me këtë datë nuk po tregoj për shpjegimin e tij.
Janë të njohura poezitë e tij. Ato ishin vërshime artistike, jo vetëm pse motiv kishin simbolin e ujit dhe shiut. Mirko ishte poet bohem, gazetar, mësues e aktor. Ai është autor i disa përmbledhjeve me poezi; Në vorbullën e ujit, Netët e bardha, Gjarpri i shtëpisë , Arbor vitae etj., e sigurisht që ka lënë edhe poezi tjera në dorëshkrim. Herët e kam lexuar poezinë e Mirkos, mjeshtrit të madh të vargut.
Çka duhet të bëjmë (flas vetëm si lexues) kur e lexojmë një poet si Mirko Gashi? Natyrisht po e jap edhe përgjigjen, duhet ta rilexojmë edhe një herë edhe dy herë edhe shumë herë. Sa herë e lexon kënaqesh. Sa më shumë qe e lexon, aq më shumë kënaqesh. Kjo është epërsia që e ka poezia mbi të gjitha artet tjera. Sepse mundesh ta lexosh e rilexosh njëqind e më shumë here.
Një mbrëmje vere, fillimi i qershorit, më bie telefoni. Miku im Sali Beqiraj më thotë. Vdiq Mirko.
Salihu ishte me të deri në çastin kur Mirkoja dha shpirt. Mirko e dorëzoi te Zoti atë shpirt, që gjithë jetën ia kishte dhënë poezisë, lexuesit. Si do ta shprehja dhembjen për Mikun tonë poet? Me poezi, me asgjë tjetër. Atë natë unë shkrova një poezi të cilën e kam të botuar në librin timin. E di që titullin e kishte “Mjeshtri sonte flenë me këpucë”. Mirko më kishte treguar për “Arbor Vitae” motivin e poezisë që e kishte bërë titull libri. Para pak ditësh përsëri u mundova ta kujtoj poetin me një poezi, që sot vendosa ta ndaj me ju. Titulli është i Mirkos, edhe pse Arbor Vitae-n e kanë prerë pasi që i kanë rënë të gjitha gjethet.
ARBOR VITAE
(Mirko Gashit)
Maestro,
Krejt pemët
Po donë me i pre
Po thonë kërkush ndër to
s’po puthet ma
gjethet
frutat
puthjet
janë tha
Teksa përfundova këtë poezi, kujtoja Mirkon, pamjen e tij, vargjet, ndjesinë, gotën e rakisë, që e mbante përpara si bekri, me hijeshi bohemi, kujtova trimërinë e telegramit, telegramit të “Urimit” që nuk ishte Urim, që nuk ishte Uratë por ishte mallkim.
Mirkon më bëhet se e shoh shpesh sa herë dalë rrugëve të Prishtinës, edhe pse, çuditërisht, nuk shoh asnjë përmendore të tij. Ani që nuk ka përmendore të tij në Prishtinë, sepse kjo kohë nuk është edhe aq artistike. Por ndoshta edhe nuk ka nevojë për bust ose përmendore të Mirkos, sepse për lexuesin bust dhe përmendore janë vargjet e tij.
MUZAT NË AMSHIM
(Në vend të një përkujtimi për poetin Ali Podrimja)
Lulëzim Tafa
Poezinë e Ali Podrimjes e kisha lexuar si nxënës i shkollës fillore e të mesme. Isha rritur me atë poezi e isha frymëzuar. Pamjen e tij e kisha parë në fotografitë e librave të tij, e kisha parë edhe në TV, në orë letrare etj. Më kujtohet njëherë në Televizion, në TVP-në e asaj kohe, kur ai lexonte një poezi në një orë letrare (më duket se ishte viti 1988 dhe ishte mitingu i poezisë në Gjakovë) kur ai paraqitjen e përfundoi me “Unë jam Ali Podrimja, qytetar i rendit të dytë”. Pastaj më kujtohet një duartrokitje e madhe nga te pranishmit e shumtë në sallë.
Ajo kohë ishte e vështirë sepse kërcënimet e Beogradit ishin të shumta. Serbët thoshin se “Ata”, pra ne shqiptarët, ishim qytetarë të rendit të dytë. Podrimja ironizoi me ta, u pa qartë. Për atë kohë nuk ka qenë e lehtë. Ai kishte shkruar edhe një poezi me titull “Hitleri i sokaqeve të mija”. Ishte poezi e guximshme në kohën kur Millosheviqi ishte “në pupa”.
Është i paharruar takimi dhe njohja ime e parë personale me poetin Podrimja. Në fillim të viteve të 90-ta, në redaksinë e Rilindjes, ndërmarrjes botuese apo edicionit që i thoshin, unë e kisha paraqitur për botim librin tim të parë me poezi. Atë ditë takova për herë të parë Podrimjen, por edhe Anton Pashkun, Nazmi Rrahmanin e Rrahman Dedajn. Ata më kishin ftuar për të më treguar se kishin vendosur që të aprovojnë botimin e librit tim. Për mua ishte ngjarje e jashtëzakonshme të botoja në Rilindjen e asaj kohe. Rilindja ishte botues i madh, kishte kritere letrare të qarta, pra botonte libra që kishin vlera. Unë isha shumë i ri në atë kohë. Podrimja ishte caktuar nga Redaksia si redaktor, Agim Vinca Recensent. Aty edhe fillojë miqësia ime e mirë me poetin. Për të mbetur e tillë deri në shuarjen e tij.
Ali Podrimja, për mendimin tim, është poeti më i mirë, që kishte letërsia shqipe. Poeti që për më tepër se pesë dekada u bë ikona e letërsisë së Kosovës dhe sidomos poezisë. I përkthyer në shumë gjuhë të botës, Ali Podrimja është poeti më i përkthyer shqiptar, ndoshta, i të gjitha kohërave.
Qoftë me motive nacionale, qoftë me ato personale, Ali Podrimja e bëri të njohur letërsinë shqipe në botë. Do të kalojnë vite e dekada e, ndoshta, edhe më shumë, e ne nuk do të kemi më një poet të përmasave të Podrimjes.
Që nga vargu, tashmë, monumental “Miq, Kosova është gjaku imë që nuk falet”, i shkruar këtu e më shumë se gjysmë shekulli më parë, e kulmuar me “Lum Lumin”, (për mendimin tim librin më të mirë me poezi të botuar në gjuhen shqipe), e deri në ditën e fundit të jetës së tij, ku vdiq në një aktivitet poetik, Ali Podrimja prekte majat e letërsisë.
Është për keqardhje se si ne kolegët e shokët e tij, nuk e finalizuam një iniciativë të ne shkrimtareve nga një orë letrare në Gjilan, për fillimin e procedurave për nominimin e poetit Ali Podrimja për çmimin Nobel për letërsi. “Punë mukajeti”, thotë populli. E lamë në gjysmë.
Pas vdekjes së Azem Shkrelit, të cilin Podrimja e çmonte më së shumti, unë kisha botuar një poezi që i kushtoja atij (Azem Shkrelit). Poezia quhej “Pika e vargjeve”. Unë i dija të gjitha poezitë përmendesh. Këtë e dinte edhe Aliu dhe ndonjëherë më thoshte “Mixhë, (ashtu e quante ai vetën) jam i mërzitur, ma thuaj poezinë për Azem Shkrelin”. Kur filloja t’ia thosha, i shkonin lotët. Një herë ishte edhe Bajram Kelmendi (Azemi dhe Avokati ishin miq të pandarë) qanë të dytë, edhe Podrimja edhe Avokati.
Podrimja e kishte edhe një të mirë tjetër, i lavdëronte shumë edhe kolegët e tij. Ai thoshte se janë poetë të mirë edhe të tjerët si: Azem Shkreli sidomos, por edhe Mirko Gashi, Din Mehmeti, Dedaj, Gunga,Vinca e poetët tjerë të gjeneratës së vet. Por edhe të gjeneratës së mëvonshme si: Milazim Krasniqin, Konushevcin, Bashotën, Ibrahim Berishën e sidomos e kishte dobësi Basri Çapriqin, madje, mendoj se mua dhe Basriun na donte më së shumti. Ai nuk e fshehte këtë. Unë bëja shumë shaka edhe më të. Çuditem si më duronte (edhe pse shpesh më shante, e besa e shante edhe Basriun, por e di se këtë e bënte ngase na donte shumë).
Te libri “Frutat Bizare”, Çapriqi kishte shkruar një poezi për lirinë, disa vjet para se liria të vinte. Ajo poezi mendoj se është aktuale edhe sot. Lirinë Çapriqi e kishte fyer, kishte thënë se në liri “të lodhin heronjtë dhe kurvat”. Të çuditshme janë parandjenjat e poetëve. Podrimja thoshte. Shiko Mixhë. Kjo është poezi.
Ai i përkrahte shumë edhe poetët e rinj, siç na quanin neve në atë kohë. Atë vit apo një vit më vonë i kishin botuar librat e parë edhe Sali Beqiraj, Valdet Berisha, Rrahman Paçarizi (edhe Manin e donte shumë Podrimja), Beç Cufaj, Muhamet Mavraj, Naime Beqiraj dhe disa poetë të tjerë, madje ai kishte bërë edhe një antologji me ne poetët e atij brezi “I kujt je Atdhe”.
Sidomos pas vdekjes së Azem Shkrelit në vitin 1997, Podrimja më merrte në telefon, më së shpeshti për të më lexuar në telefon vargjet e sapo shkruara. Nuk mund ta harroj kurrë edhe një rast, kur më bie telefoni e ai thotë: Ngoje mixhë (Pa thënë as alo):
Tokë me da nuk kam/
hasmi në p… t’samës/
qenqe s’jetohet ma.
Çka po thu mixhë? Më tha, -Uuuua, ja ktheva me një ndjenjë të përbashkët mrekullie e habie. Kaq më kujtohet. Ajo poezi në atë kohë u bë hit, e tillë mbeti gjithmonë.
Po kush po shkruan më. Pas shkuarjes së tij në amshim, shkoi edhe muza. Dikur shkruanim shumë. Ishte kohë robërie por muza nuk trembej, tash kohë lirie (në i thënçin kësaj liri), por poezia pak po shkruhet, e shumë pak po lexohet. Sidomos tash pas vdekjes së Podrimjes. Liria na i trembi muzat. Apo edhe muzat shkuan në amshim me Podrimjen. Më kujtohet që pak kohë pas luftës kisha shkruar një poezi të shkurtë e që Podrimja e pëlqente shumë. Titullin e kishte Liria:
S’shkruhet dot një varg
Ç’sëmundje muzave
U solli liria
Nanen bre ja qifsha
Si vdiq poezia.Mixhë! Kur të vdes unë, stafetën e poezisë ka me ta lanë ty, më thoshte Podrimja. Po shkruan mirë, p… same je, më thoshte në stilin e tij, kush e ka njohur e di.
Mixha vdiq, stafetën pas tij, jo që nuk e mbajë unë, por, fatkeqësisht, si duket, askush.
ARTICLE
RREBELIMI I KAFSHËVE
Lulëzim TAFA
George Orwell kishte nisur që të shkruante një libër për fëmijë me titull “Ferma e Kafshëve”, si duket, pa i shkuar në mend se ai libër dhe ajo tematikë do t’i thyente kufijtë e moshës së fëmijëve.
Ideja e tij që atë temë t’ua dedikonte fëmijëve, nuk ishte e keqe, sepse ai synonte që fëmijët në moshë të re të kenë mundësinë të njihen me abuzimin e kafshëve, me vuajtjet e tyre për së gjalli, derisa thika e njeriut t’i “kurtaliste” ato. Vuajtjet e tyre edhe mund t’i merrni me mend, derisa thika në fyt është shpëtimi për to.
Romani i George Orwell u bë njëri ndër romanet më të lexuara të shekullit të kaluar. Prej tij u bënë edhe filma, madje prej filmave më të shikuar.
Romani, ashtu si edhe filmi, të lënë me gojë hapur, janë krejt dinamikë, krejt ankth. Drama e kafshëve përçon shumë mesazhe te pronarët e kafshëve, pra te njerëzit.
Mitologjia na tregon se kafshët dikur kanë folur, ashtu siç flasin në rrëfimin e Orwellit. Kafshët në këtë botë bashkëjetojnë me njerëzit në tokë, edhe pse ato nuk jetojnë në kurriz të njerëzve, por janë njerëzit ata që jetojnë në kurriz të tyre.Njerëzit i shfrytëzojnë ato maksimalisht, derisa për to kujdesen minimalisht…
Afërsisht këto janë frazat me të cilat bisedojnë vetë kafshët në romanin-film të Orwellit. Nejse. Gjithsesi , është mirë të lexohet ky roman, apo të shihet njëri prej filmave bazuar në romanin e Orwellit.
Ideja për këtë temë më ka lindur nga kasapët dhe gjahtarët, e sidomos nga kasapët – nga vitrinat e mishtoreve apo thertoreve të tyre, ku kafshët të palosura si “sardelet” rrinë të varura, pasi që janë rjepur me kokë teposhtë për t’i joshur njerëzit që t’i blejnë.
T’ ju them të drejtën, është kohë e gjatë që lëkundem të bëhem a jo vegjetarian. Këto pamje më shokojnë, më duken shumë të vrazhda. Nuk e di pse kanë nevojë të ekspozohen ata qengja e kafshë të tjera në vitrina, sikur të ishin veshje apo material tjetër, që duhet patjetër të jetë i ekspozuar.
Po ashtu, nuk më hiqet dot prej mendjes një kamion me rimorkio, me qenë të vrarë që e pashë një ditë në njërën nga rrugët tona. E them seriozisht, dukej një masakër, masakër e kryer mbi kafshët, mbi qentë, mbi besnikët e mëdhenj të njeriut, siç i quajmë ne njerëzit shpeshherë.
Thonë se edhe mishi i kalit e i gomarit është i mirë, edhe i breshkës së shkretë, që zoti i ka shkruar jetë të gjatë, sikur njeriu të mos e servirte në kuzhinë… Kështu thonë popujt që e përdorin këtë ushqim, kështu thonë njerëzit mishngrënës.
Unë për vete ndihem keq për këtë abuzim që ua bëjmë kafshëve. Janë tronditëse pamjet që i shohim çdo ditë, p. sh. një ari i lidhur me zinxhirë në plazh, njerëzit argëtohen duke bërë foto më të, e mua më duket se ai lëngon. Duke pasur parasysh se ariu e ka një fytyrë të madhe, nuk është zor me pa pikëllimin në fytyrën e tij. Rëndë, me të vërtetë rëndë. Peshqit në gjysmë metri katror në akuarium, qenie me shpirt, mëkat. Zogj të mbyllur në kafaz për hijeshi në dhomën e ndejës, edhe kjo e rëndë. Një viç i gjallë, i bukur, me pa “syret”, përpara një mishtoreje pret urdhrin për therrje… pa koment.
Dikush mund të thotë, këtu askush nuk e çan kokën për të drejtat e njerëzve, e lëre më për kafshët! Nuk është ashtu, njerëzit e kan fatin në dorën e vet – kafshët jo. Për to duhet të shqetësohemi ne. Trajtimin e kafshëve në Kosovë e dimë. Me e keqja se këtu askush nuk merret me këtë. Sipas Animal Rights in Albania, edhe Shqipëria për fat të keq njihet në gjithë botën për nga mënyra e keqe e trajtimit të kafshëve. Reagimet në botë jane alarmuese, sidomos ndaj kushteve të mbajtjes së kafshve të egra të mbyllura në kushte të papranueshme. Të mos flasim për skandalin e madh të vrasjes së qenve, të organizuar atje nga një kryetar komune.
Të drejtat e njeriut këtu janë parim kushtetues, të kafshëve ende jo, ama ligj që i mbron kafshët ka në Kosovë. Nuk e di nëse funksionojnë shoqata për mbrojtjen e kafshëve, ndonëse për shoqatë të gjahtarëve e di që ka, nuk di që ka as shoqata kasapësh, me gjasë kosa e kasapit vepron individualisht .
Në Kodin penal aktual të Kosovës është bërë përpjekje që kafshëve t’ju sigorohet një mbrojtje juridiko-penale. Në kapitullin XXIV edhe pse me një emërtim të çakorduar “Veprat penale kundër mjedisit, kafshëve, bimëve dhe objekteve kulturore”, me shtatë dispozita dhe dhjetëra paragrafë mbrohen kafshët, duke i paraparë sanksionet penale deri në tre vjet burgim, kurse në draft-Kodin Penal, i cili ende nuk është më fuqi, kafshët përmenden në nëntë dispozita, si dhe një sanksion penal shkon deri në pesë vjet burgim. Pra, ligj kemi.
Edhe Traktati i Lisbonës në një nen i siguron këto të drejta. Pra, edhe BE-ja i kushton vëmendje mirëqenies së kafshëve, por megjithatë edhe ne, edhe Evropa, edhe krejt bota jemi larg kujdesit për kafshët. Kjo të trishton, mos e dhëntë Zoti qoftë edhe në ëndërr një rebelim të kafshëve si te romani i Orwellit. Do të jetë tmerr.
Rebelimi i kafshëve nuk do të ndodhë, por ëndrra të këqija si pasojë e kësaj do të shohim me siguri. Kushtrimi që kafshët nxjerrin përmes personazhit- kafshë në romanin e Orwell-it nuk dallon nga kushtrimi që nxjerrin edhe njerëzit në situata robërie :…/Kafshë të Anglisë, kafshë të Irlandës/Të vuajturat kafshë anembanë/Mbani vesh/ dhe përhapni lajmin/Për orën e lumtur që na vjen../
Në këto vargje shihet se George Orwell klith përmes kafshëve ose ato klithin përmes tij.
Një klithje të tillë po mundohem ta bëj edhe unë me këtë shkrim, siç e kisha bërë dikur në një poezi për Ballkanin:…/ këtu të drejtat e njeriut respektohen pjesërisht/ por të kafshëve plotësisht/ në secilën/kasaphane.
ROMËT
Lulëzim Tafa
Thuhet se me prejardhje janë nga India, nga i cili vend kishin nisur të lëvizin apo të dynden diku rreth shekullit të X-të, ndërsa këto lëvizje ishin shtuar më shumë në Evropë dhe në Ballkan rreth shekujve XIII-XIV-të. Duket se qysh atëherë nuk u priten mirë nga vendësit. Paragjykimet ndaj tyre , për fat të keq, ku më shumë e ku më pak janë të pranishme ende…
Sot jetojnë të shkapërderdhur, kryesisht në Evropë, ndoshta, thënë figurativisht, edhe sa për të ngelur njollë në ndërgjegjejen e evropianëve të bardhë.
Jetojnë si munden, apo thënë ndryshe, në të shumtën e rasteve e bëjnë jetën sot për nesër. Me gjasë kjo është edhe motoja e tyre e jetesës, apo motoja që u kanë veshur të tjerët. Krijohet përshtypja se kudo jetojnë njësoj. Kualiteti i jetës së tyre fare pak ndryshon prej një vendi në vendin tjetër, kudo në Evropë, në rajonin tonë, por edhe në Kosovë.
Janë alarmante statistikat e publikuara kohët e fundit në Kosovë, mbi shkallën e papunësisë të Komunitetit RAE, ku këtu bëjnë pjesë romët, që mbi 90% të komunitetit janë të papunë e deri te tendencat gati raciste të pishinave, që gjatë verës t’i dëbojnë pjesëtarët e këtyre komuniteteve nga pishinat, apo të mos u lejojnë fare hyrjen e tyre në pishinat publike, pa ia vënë mendjen askush barazisë që parasheh Kushtetuta jonë dhe ndëshkueshmërinë që ka Kodi Penal për diskriminim. Është tmerr kur dëgjojmë se madje ka edhe raste kur edhe besimtarëve në Xhamitë tona u pengon prezenca e besimtarëve RAE. Pashmangshëm lind pyetja, çfarë besimtari është ai të cilit i pengon prezenca e një bashkëbesimtari tjetër në një faltore. Por, hiç më e mirë nuk është gjendja as me vendet e rajonit e fatkeqësisht as e Evropës.
Këto ditë doli një raport skandaloz ndërkombëtar për pozitën e romëve në Serbinë fqinje, ku thuhet se jetojnë rreth gjysmë milioni romë Fundja, Serbisë edhe i “shkon” një abuzim i tillë, sepse si popull “qiellor” që janë, edhe u takon të mos kenë respekt për popullin që jeton në tokë, sepse ata kurrë nuk patën respekt as për të tjerët, duke pasur parasysh sjelljet dhe masakrat e tyre në Bosnjë, Kosovë e Kroaci.
Një gjë e tillë nuk bën të na ndodhë neve si Kosovë dhe si popullatë shumicë, meqë për shekuj kemi jetuar me abuzimin dhe me përbuzjen e pushtuesve ndaj nesh, dhe e dimë më së miri ç’do të thotë të jesh qytetar i rendit të dytë në shoqëri. Kjo është e trishtueshme, këtë nuk duhet ta lejojmë ne, nuk duhet ta lejojnë institucionet tona.
Unë kurrë nuk mund ta kuptoj dikë, që merr për krahu një fëmijë të komunitetit RAE dhe e dëbon nga pishina. Cila është arsyeja? Se është RAE?!
Kjo është pashpirtësi, është e vrazhdë, është mëkat, por fundi i fundit është edhe e paligjshme, dhe e padrejtë edhe ndaj Zotit.
Ma merr mendja se ne si vend dhe si popull, që me dekada jemi trajtuar si pakicë në vendin tonë, duke qenë të abuzuar dhe të privuar madje edhe nga të drejtat elementare, deri edhe me tendencën e shfarosjes kolektive nga regjimet që na sunduan ne dhe vendin tonë, do të të duhej që të jemi më së shumti të vëmendshme në respektimin e këtij komuniteti që jeton në vendin tonë, duke e ofruar kështu shembullin e mirë se si një popull i shtypur e i diskriminuar dikur, tani ndërton modelin e respektimit të të drejtave të pakicave, e në këtë rast të romëve.
Kush më mirë sesa ne shqiptarët e Kosovës e di domethënien e shkeljes së të drejtave dhe lirive, abuzimin dhe diskriminimin?! Andaj, ne jo vetëm që nuk duhet të imitojmë apo kopjojmë agresorët tanë, por duhet që minoritarëve tanë dhe botës t’i përçojmë mesazhe se ne nuk jemi si ata që na shtypën e diskriminuan, dhe se ata nuk janë modeli ynë.
Po i kujt është faji? Nuk përjashtohet asnjëherë mundësia që fajtor të jenë edhe përfaqësuesit e këtyre minoriteteve, sidomos të deputetëve të tyre, të cilët pothuajse asnjëherë nuk i kanë ngritur në Kuvendin e Kosovës çështje të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e jetës së qytetarëve që ata i përfaqësojnë. Pra, ata duhet të preokupohen më shumë për komunitetet e tyre, kurse kolegët e tyre të shumicës duhet t’u ndihmojnë dhe t’i përkrahin në adresimet e problemeve që kanë ata, dhe jo vetëm t’i përdorin deputetët e pakicave si numra për kusuritje. Është për keqardhje deklarata e njërit prej liderëve të një partie të komuniteteve RAE në një intervistë, se në zgjedhje nuk kishte votuar për partinë e vet dhe për vete, por për një parti tjetër të komunitetit shumicë. Pa marrë parasysh është apo nuk është e vërtetë deklarata e tij, ajo është skandaloze.
Të themi se romët janë njerëz të mirë, kjo është e pakontestueshme dhe do të mund të tingëllojë paksa patetike, sepse ata janë të mirë siç janë të mirë edhe krejt popujt e botës, por, si studiues i së drejtës penale që shpeshherë gjatë hulumtimeve të mia më ka rënë të ekzaminoj shumë lëndë në çështjet penale nga regjistrat e gjykatave në Kosovë, kam vënë re se romët, me gjithë shkallën e lartë të papunësisë së tyre, me gjithë shkallën e ulët të arsimimit, me gjithë shkallën e lartë të varfërisë (tregues këta që janë faktorët kryesorë kriminogjen) ata, pra romët, nuk paraqiten si kryerës të shumtë të veprave penale, madje përqindja e pjesëmarrjes së tyre në numrin e tërësishëm të veprave penale është edhe më e ulët sesa përqindja e strukturës së popullsisë në vendin tonë.
Pra, ata janë qytetarët që më së shumti i binden ligjit. Nuk ka asnjë të dhënë të vërtetuar, që e dëshmon të kundërtën. Mund të merrni me mend se si do të ishte gjendja me kriminalitetin sikur popuj të tjerë të kishin këtë gjendje sociale. Çfarë do të ndodhte?! Pra, këta janë njerëz që duhet ta kenë përkrahjen tonë, të shumicës, që të kujdesemi për pozitën e tyre, për arsimimin e tyre, thjesht për respektimin e tyre, ashtu siç thotë Zoti e ligji, sepse janë njerëz që jetojnë mes njerëzish, asgjë, as më shumë e as më pak.
Madje, janë shumë sentimentalë dhe gazmorë, janë të admiruar si i bëjnë dasmat dhe ahengjet, si vallëzojnë e këndojnë, madje prej tyre edhe mund të mësohet se si njeriu duhet të gjejë kurajën për jetë, si dinë t’i injorojnë gjërat e këqija në jetë dhe t’i marrin asaj vetëm gjërat e bukura.
Fundja, Romët janë një yrnek i mirë i kapërcimit të dhembjes me Gjymysh.
ASKUSH NUK PO E MBYTË VETEN
Lulzim Tafa
Sot është 21 marsi, dita e pranverës. Ditë kjo që, dikur si fëmijë, e prisnim me padurim. Nuk është dita ndërkombëtare e pranverës sepse ditë ndërkombëtare të pranverës nuk ka, por kjo ditë ka rastisur me një ditë tjetër të veçantë, e që është ndërkombëtare, pra kjo ditë ka rastisur me ditën ndërkombëtare të poezisë, që është po aq e bukur sa pranvera.
Data e njëjtë e ditës së poezisë dhe ditës së pranverës mund të jenë rastësi, por çuditërisht kjo ditë është vetëm një ditë pas ditës ndërkombëtare të lumturisë që ishte me 20 mars. Nëse edhe kjo do të ishte rastësi, vërtet do të ishte interesante. Unë për veti nuk e di arsyen. Kuptohet, i kam dyshimet e mija.
Ditën e poezisë nuk u kujtua ta shënoj askush, madje as shoqatat e asociacionet tona të shkrimtarëve. T’ju them të drejtën, u mërzita pak. Kanë vdekur shumë poetë kohët e fundit, madje kanë vdekur poetët kryesor të poezisë shqipe të Kosovës; Ali Podrimja, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Mirko Gashi, Beqir Musliu, Abdulla Konushevci e disa poetë të tjerë, kuptohet po flas për poetët që unë i kam njohur dhe i kam pasur miq, dhe që natyrshëm i kujtoj në një ditë si kjo.
Për një çast thash, më mirë të them e pyeta veten, a thua vdiq poezia?
Unë them Jo, nuk ka vdekur. Ndoshta më parë do të vdesin ata që nuk jetojnë me të. Poezia shkruhet pak këto kohë, e më pak lexohet. Ne kemi dëshirë të themi se poezia është art aristokrat, dhe për këtë shkak lexohet e shkruhet pak, prandaj ata që lexojnë poezi janë aristokrat, e më aristokrat ata që shkruajnë. Normalisht, si poet që jam qesha pak vetëmevete, pastaj e kujtova poetin tim të zemrës Migjenin, i pështjella në kokë pak vargje të tij, kuptohet nuk qesha as vetëmevete, si te rasti i parë, pastaj kujtova vargjet e Sergej Jeseninit, sidomos “Do svidanjen”, që në atë vakt e lexoja në origjinal, kësaj radhe nuk i aprovova shumë, pastaj të Bukovskit etj., dhe vetëm kur e pashë se po ja prishi vetit festën. Mendova e thash vetë me veti, hiqu tyre dhe fillova me Lorken, uh çfarë poezie, vazhdova me Zhak Preverin, thash po e qeras pak vetën, pastaj mu sollën në kokë poetë e poetë, poezi e poezi, deri sa u kënaqa e derisa në fund kënaqësia mu bë mërzi. Ashtu i mërzitur e shkrova një poezi, ndoshta sa për ta shënuar edhe zyrtarisht këtë ditë.
Po çka është poezia? A ka kush që e përkufizon atë? Deri sa poetët e quajnë atë përnjëherë edhe prostitutë edhe shenjtëreshë ec e bjeri në fije, punë poeti, apo punë djalli. Besoj se ja bëra mirë kur librin tim në gjuhën boshnjake e pata titulluar Punë Djalli.
Mendova sa e rëndësishme është poezia. Mu kujtua edhe një batutë, se ne poetët edhe batuta dimë të bëjmë nganjëherë. Kur një poetë i një zone urbane, madje nga një vend që as lum nuk ka, i thotë një poeti tjetër që vjen nga zona e bregdetit, nuk ju kuptoj juve poetët që vini nga zonat e bregdetit, pse ju shkruani poezi, ju keni det dhe atje mund ta mbysni veten. Ne që nuk kemi det këtu, prandaj në pamundësi që ta mbysim vetën në ujë, shkruajmë poezi. E këtu qesha edhe pak, thash kjo është arsye ndoshta që poezia erdhi në këtë ditë. Pra tash e kam të qartë se pse po e injorojmë kaq shumë poezinë, sepse askush nuk dëshiron ta mbys vetën më.
Normalisht se nuk po flas për vete, sepse unë do t’i mbetëm besnik gjithmonë poezisë, edhe pse nuk është e lehtë, ndoshta si ato vargjet, puthja jote është e vështirë, por unë do të të puth përsëri.
BIJAT NË VETURA ZYRTARE DHE DASHURI ME BUXHETIN E SHTETIT
Lulzim Tafa
Ngjarja nuk fillon sot, nuk fillon me qeverinë e sotshme e as me qeverinë e kaluar, por në një periudhë që e quanim vetëqeverisje socialiste e klasës punëtore. Ngjarja e filluar atëherë, vazhdon edhe sot, e me gjasë edhe nesër.
E shtuna e parë, 1985
Një veturë zyrtare “Niva”, e njërit prej drejtorëve të ndërmarrjeve shoqërore të komunës së Lipjanit, një të shtune pasdite, “argatshtia” do ta kenë parë, që po i mblidhte bijat e shtëpisë të shpërndara anekënd komunës e ndoshta edhe më gjerë, për një aheng familjar-dasmë.
Ditën e hënë ngjarja ishte alarmuar. Kishin pasuar mbledhje urgjente këshillat e punëtorëve, sindikatat, aktivet e partisë së vetme etj., me arsyen e madhe se ishte shkelur djersa e klasës punëtore. E hëna pasdite nuk e kishte pritur drejtorin në pozitën që kishte. Ai u shkarkua se ashtu kërkoi zëri i klasës punëtore, thoshin atëkohë.
Nuk kishte qenë e vështirë për t’u konstatuar se ai i kishte bartur bijat me makinë të ndërmarrjes. Bijat e asaj kohe ishte lehtë për t’i identifikuar sepse bartnin veshje tradicionale, dhe kokat i kishin të mbuluara me shamia, po ashtu, se kishin nga një tufë fëmijësh me vete në vetura, që ua bënin me dorë këmbësorëve, sepse edhe kuptohej, udhëtimi me makinë për ta ishte ngjarje.
E shtuna e dytë, 2005
Diku në vitin 2005, derisa po kthehesha nga Shkupi, si për inatin tim, më ranë në sy edhe tri makina në atë kohë të qeverisë me targat KS dhe disa zero. Se ishin të qeverisë, padyshim, tregonin tabelat, formati, por edhe ngjyra.
Edhe aty me ra në sy se përveç që ishte e shtunë, ato makina kishin brenda gra e fëmijë, që nuk ishte e vështirë të konstatohej se nuk ishin për punë zyrtare dhe se gratë e respektuara nuk ishin punëtore të qeverisë, e sidomos fëmijët nuk e besoj se ishin fëmijë të qeverisë.
E shtuna e tretë, 2011
Këta “problematikët” e KLAN-Kosovës e morën me kamerë, si për koincidencë të dreqit, përsëri një të shtune të muajit korrik 2011: një beqar të qeverisë që thanë se ishte i Ministrisë së Shëndetësisë. Beqari i qeverisë, makinën e qeverisë e kishte afruar fare buzë ujit të Batllavës, dhe me të dashurën e tij kishin filluar meditimin mbi ujë. Të them të drejtën puthjet dhe prekjet e tyre nuk më interesuan, sepse as nuk janë qëllim i këtij shkrimi, zoti i ruajt, shumë mirë që duhen dhe kalojnë bukur, madje edhe kushtet i kanë.
Shpresoj se nuk do të ma marrë kush për të keq se unë qenkam kundër dashurisë, përkundrazi, por e pata hallin te mijëra e mijëra të rinj të tjerë të Kosovës të cilët duhen e që nuk kanë makinat e qeverisë për t’i vozitur, për ta vizituar Batllaven, Gërminë etj.
Çfarë pabarazie shoqërore, mendova. Thjesht, nuk i kanë kushtet, ose edhe ata që i kanë këto kushte nuk ia ndjejnë shumë kënaqësinë, sepse duhet që vetë të kujdesen për shpenzimet eventuale, që edhe mund t’i ketë dashuria si: Coca – colën, akulloren, derivatet e shtrenjta etj., pra, janë të detyruar për shkak të pabarazisë shoqërore të çojnë dashuri me buxhet të vetin, e jo si ai kolegu i tyre që çon dashuri me buxhetin e shtetit, që s’ka nevojë të kujdeset as për karburant, e besa, ai tip i veturës mund t’i shërbejë edhe si një garsoniere apo dhomë e improvizuar e motelit.
Të them të drejtën, bijat në makinat zyrtare më bëjnë nervoz, kurse dashuria me buxhet të shtetit nuk kish me qenë edhe fare problem, vetëm se unë po e teproj ndoshta pak, se fundi i fundit, çfarë qeverie është ajo që nuk e financon dashurinë.
Duke e përfunduar këtë rrëfim për këto të shtuna, kthehem me vete te viti 1985 dhe them se sa mirë që nuk ka më këshilla të punëtorëve, sindikata të atilla, parti që ta fikë derën, dhe të them të drejtën, është mirë që nuk e kemi as vetëqeverisje socialiste, por është keq që nuk kemi as kulturë ligji e shteti.
AVOKATËT
Lulzim TAFA
Sipas Ligjit mbi Avokatinë, çdo kandidat, para se të pajiset me lejen e ushtrimit të profesionit të avokatit, është i detyruar të japë betimin solemn.
Teksti i betimit është ky: “Betohem, se profesionin e avokatit do ta ushtroj me dinjitet, ndërgjegje, i pavarur dhe me nder, duke respektuar rendin juridik dhe kushtetues”.
Çfarë do të thotë Ligji për Avokatinë, dhe çfarë do të thotë ky betim për ata që punojnë sipas këtij ligji dhe sipas këtij betimi?
Në Kosovë ka shumë avokatë, ka shumë avokatë të mirë, avokatë modelë që punën e tyre dhe misionin që kanë e përmbushin me pedantëri dhe disiplinë të lartë morale e ligjore, sikundër që ka edhe shumë avokatë matrapazë, gënjeshtarë, madje edhe që janë krejtësisht në anën e krimit dhe të kriminelëve, që e ndajnë edhe fitimin nga aktivitetet kriminale të klientëve të tyre “të pafajshëm”, për të cilët nuk ka krim në vendin tonë. Sipas tyre, në Kosovë ka vetëm hetues, prokurorë e gjyqtarë, që 24 orë vetëm u montojnë raste klientëve të tyre, gjithsesi dhe gjithëherë të pafajshëm.
Klienti im është i pafajshëm, nuk ka prova që e inkriminojnë klientin tim, e edhe kur janë provat, ata e kanë gjithëherë përgjigjen e shpejtë, provat janë të montuara, janë të parregullta.
Të jesh një avokat, sot është një profesion mjaft fisnik, sepse je në shërbim të drejtësisë, shoqëria është ajo që ka më së shumti nevojë për drejtësi.
Por, cili është roli apo misioni moral dhe ligjor i avokatit dhe avokatisë, dhe cila është përgjegjësia ligjore e tyre?
A është roli i tyre të ofrojnë këshilla dhe ndihmë juridike, apo t’i mësojnë kriminelët se si ta perfeksionojnë krimin, si ta fshehin atë, dhe si të krijojnë alibi ?!
Nëse është kjo e para, krejt është OK. Ky është misioni dhe profesioni i tyre, dhe për këtë ata paguhen.
Paguhen sipas tarifave të paracaktuara nga rregullatori i tyre. Por, në rast se ata “goditen” me klientët e tyre, që t’i shpëtojnë nga ndjekja penale dhe dënimet, kjo është jo vetëm kundërligjore, por edhe e turpshme nga ana morale, sepse pazar me drejtësinë nuk ka, ose së paku nuk do të duhej të kishte.
S’ka dyshim se Oda e Avokatëve të Kosovës është një institucion serioz. Serioz është madje edhe Kryetari i Odës, një avokat, vërtet, profesionist dhe i ndershëm, por një pjesë e “xhematit” të tij, padyshim se e ka
lëshuar rrugën e ligjit, dhe tani punon me ligjin e rrugës, pazarit dhe krimit.
Jo pak njerëz, që njihen sot në Kosovë si delikuentë, i gjen tek bëjnë be në kokat e avokatëve të tyre, disa të tjerë për ta bindur klientin e tyre që ta bëjë pazar, p.sh një pronë të dyshimtë, thonë “ta gjej unë avokatin që t’i ndreq letrat”
Na kujtohet vetëm rruga Lipjan – Prishtinë, të gjitha pronat në të dy anët e rrugës ishin prona shoqërore, për këto dhjetë vjet të gjitha u ”konvertuan” në prona private. Kështu, me ndihmën edhe të avokatëve funksionoi me sukses procesi i “konvertimit”, shumica përmes serbëve, e pastaj me ”emzanë” e tyre u bart te shfrytëzuesit e sotëm. Merita e disa avokatëve në këtë plan është e jashtëzakonshme.
Në këtë situatë, më kujtohet edhe një polic i cili rrëfente se si po i tallin delikuentët ata, duke u thënë se unë lirohem shpejt, por vetëm po më dalin ca para prej dorës për avokatë.
Edhe nëse të gjitha këto çështje, që kanë të bëjnë me çështjet civile e administrative ju falen, si mund t’ju falet disa avokatëve të çështjeve penale kur me “mjeshtëritë” e tyre kriminale e dhe falë “zotësisë profesionale” i “mundin” prokurorët dhe hetuesit dhe arrijnë ta shpallin të pafajshëm një vrasës, një kriminel një reketues a dhunues, dhe i ndiejnë kënaqësitë e këtij “triumfi”, për ato para që i fusin në xhep, apo i ndajnë me dikë përballë vuajtjeve të viktimave të krimit, të cilët nuk mund të marrin as satisfaksion shpirtëror, së paku. Për ato para që do t’i shpenzojnë për vete dhe për familjet e tyre, pa u shkuar në mend se Zoti është lart dhe Ai nuk mund të mundet.
Detyra e një avokati është, që për kryesin e veprës penale të gjejë rrethana lehtësuese të cilat ndikojnë në matjen e dënimit, që kryesi i veprës të marrë dënim që nuk i tejkalon suazat e fajësisë së tij.
Kjo metodë avokatie, dhe inkriminimet e drejtpërdrejta të disa avokatëve, e bastardojnë dhe e përmbysin gjithë misionin që e kanë avokatët në shërbim të drejtësisë.
Këta “avokatë”, që me asgjë nuk i ngjasojnë avokatëve të vërtetë, me do zyra “mizerie”, që nuk kanë as WC (vetëm inspektorati sanitar po të funksiononte, ata nuk do të mund të punonin) ndajnë pazarin mes klientëve të vet, dhe atyre që vendosin për ta.
Përfundimisht, sot në Kosovë avokat i mirë konsiderohet ai avokat që i ka lidhjet e forta me gjyqtarë e njerëz të tjerë, që vendosin për çështje gjyqësore, se sa një avokat që e njeh mirë ligjin dhe procedurat, dhe që di ta bëjë mirë interpretimin ligjor.
Fatkeqësisht, peshorja që simbolizon drejtësinë tanimë është transformuar dhe ka një simbolikë tjetër, në njërën anë ka klientin e në anën tjetër paratë.
Keq, krim, turp, gjynah.
DOMOSDOSHMËRIA E IDENTIFIKIMIT TË “NJANIT” TE SHQIPTARËT
Lulzim TAFA
“Më tha njani”, “njani më tha”, “kjo është e vërtetë sepse më tha njani”, “jo, nuk është e vërtetë se më tha njani”, “njani më tregoi”, “ashtu siç më tha njani”, “o burrë, njani mua më tha se” e deri te “be bani njani se…”.
Këto janë referencat ”empirike” dhe të panevojshme për t’u verifikuar qoftë si pohime, qoftë si mohime, qoftë si ngjarje apo veprime, mosveprime, barsoleta, qoftë si ndodhi e anekdota.
“Njani” (njëri) është person shumë i besueshëm dhe shumë i mençur. Është mit i ne shqiptarëve.
‘Njani’ është ai që na tregon ne shqiptarëve shumëçka, për të mos thënë gjithçka.
Po kush është ky ‘njani’? Prej nga vjen, me se merret konkretisht?
Edhe pse e paramendoj një njëri apo mbinjeri Universal, me informacion dhe dije kulminante në të gjitha sferat e jetës, në shikim të parë duket gjenial, ka raste kur edhe duket matrapaz.
Sinqerisht i kërkoj falje sepse nuk dua ta paragjykoj, bile bile edhe ndonjëherë e respektoj, e shoh edhe si prognozues të mirë të ngjarjeve dhe situatave.
Vetën e konsideroj si njeri me fat, madje edhe shumë të privilegjuar, sepse ka shumë gjasa që ‘Njani’ të jetë mik i një miku tim. Nuk ka privilegj më të madh për mua që personalisht ta njoh ‘Njanin’.
E di që për ta njohur atë nuk jam i interesuar vetëm unë, por edhe shumë të tjerë, madje edhe ndërkombëtarë. Bile, një ndërkombëtar kishte pyetur qartë se kush është njëfarë ‘Njani’ që po ju tregon gjithçka juve shqiptarëve?
‘Njani’ madje, duket të jetë një personalitet me shumë influencë. Ai influencon edhe politikën e vendit. “Njani’ i kishte thënë diçka edhe presidentes një ditë, edhe kryeministrit, e sa për ministra e të tjerë as mos të flasim, sepse ai për çdo ditë u thotë atyre diçka.
‘Njani’ u tregon diçka edhe gazetarëve, edhe opinionistëve e analistëve.
Kush është ky njeri që e kemi aq afër e nuk e njohim, apo e mbajmë të fshehur ?!
Përveç këtyre, ai është shumë IN edhe sa i përket jetës private të të tjerëve. Ai i di, pothuajse, të gjitha “lidhjet intime” të të gjithë njerëzve, madje ai ka qasje edhe në të gjitha dosjet e shërbimeve më sekrete botërore, duke e ditur kush për cilin shërbim punon dhe çka punon.
Informata më të detajizuara se ‘Njani’ për Kosovë, nuk ka askush, harroje!
Të jem i sinqertë, jam shumë i nervozuar me ‘Njanin’, e më së shumti nervozohem kur ai kërkon transparencë. Merreni me mend “transparence”, e vet nuk tregon se kush është. Vërtet i çuditshëm është ky ‘Njani’.
Para pak ditësh një mikut tim i kishte thënë ‘Njani’ diçka interesante, por të pabesueshme. Unë insistova që ajo të verifikohej, sepse është mirë që ajo të verifikohej paraprakisht. Miku im në fillim hezitonte të tregonte se kush konkretisht i kishte thënë, por ai konsideronte se mjaftonte që i kishte thënë ‘Njani’. Në fillim u bëra nervoz, insistoja dhe këmbëngulja ta njihja, bile edhe ta takoja. Besoja se ia vlente. Pas insistimeve të mia permanente që të më tregonte për ‘Njanin’, miku im me mjeshtri u tërhoq, duke thënë se më duket që edhe “Njanit i kishte thënë njani”.
Çka po ndodh tash? Nga doli ky ‘njani’ tjetër tash? Sa njana janë?
Këtu nisi të lëkundej edhe besimi im për ‘Njanin’ dhe të shpalli publikisht kërkesën time për identifikimin e tij. Është imperative i kohës gjetja e ‘Njanit’. Ai duhet të identifikohet patjetër. Ta dimë se kush është ai, pasi që është me kaq ndikim në jetën tonë.
Uroj ta gjejmë! Përndryshe, nëse nuk e gjejmë, unë më nuk do t’i besoj atij. Nëse është diku, le të dalë, nuk ka nevojë të fshihet.
Kishte me qenë mirë sikur ‘Njani’ të mos ekzistonte fare. Mos e dhashtë Zoti!
Kujt do t’i referohemi ne pastaj!?
NJË LIGJ PËR TË RESPEKTUAR LIGJIN
Dr. Lulzim TAFA
Si fëmijë më kujtohet se më bënte shumë përshtypje kur dëgjoja apo thoshin se dikush e ka thyer ligjin.
Në imagjinatën time fëmijërore ishte fiksuar ligji si një objekt i qelqtë apo i porcelantë i cili thyhet shumë lehtë. Me padurim prisja që të shoh figurën e ligjit dhe pse ligji ishte aq “objekt” i ruajtur dhe kur thyhej (shkelej) shkonte dikush në burg. Pse nuk shkohej në burg kur thyenim gota e pjata, kurse për ligj po?
Kur fillova të kuptoj esencën e ligjit dhe dispozitat e tij, e kisha të qartë se përnjëmend ligji nuk duhej të thyhej.
E pash se ligji dhe ligjet ishin bërë për t’u shërbyer njerëzve, që të siguronin zhvillimin normal të jetës në tokë.
Me ligj mbrohen të gjitha të mirat juridike: jeta e njeriut, integriteti trupor, shëndeti, liria, pasuria, ekonomia, nderi e autoriteti, martesa dhe familja, integriteti seksual, por edhe shteti dhe rregullimi shtetëror, integritetit territorial etj, etj. Të gjitha këtyre të mirave juridike Kodi ynë Penal u ka siguruar një mbrojtje juridiko-penale. Kushdo që shkel dispozitat e Kodit Penal, dënohet sipas këtij kodi. Me ligj ishte rregulluar funksionimi i çdo segmenti jetësor. Tani e kisha të qartë se pse dramatizohej aq shumë thyerja (shkelja) e ligjit dhe, me kalimin e kohës, të më zbehej gjithnjë e më shumë simpatia madje edhe për disidentët që i kisha pasur shumë për zemër, apo edhe artistët e padisiplinuar që thoshin se detyra dhe misioni i artit është pikërisht thyerja konvencionale.
Të them të drejtën “letërsia alternative” më nuk më lexohet dhe ndoshta shpejt do ta hap një polemikë në formë debati më të. Madje, Xhaxhin Imer që e kishte vizatuar simbolin fashist në vagonët e trenit para tridhjetë vjetëve, tani më duket se pak e kanë dënuar. Kështu, duke këmbëngulur që ligji duhet respektuar, mendoj se sa i pashpirt jam bërë. Por, mua më mban të fortë fakti kur mendoj se sa të pashpirt janë ata që e shkelin ligjin dhe, vazhdoj të besoj se më të pashpirtët se ne që kërkojmë të zbatohet ligji, janë pikërisht ata që e shkelin atë.
Thosha se ligji është i shenjtë. Nuk ka detyrë më humane se të zbatosh ligjin, sepse vetë ligji është human, por që nuk lejohet të nëpërkëmbet. Dispozitat dhe paragrafët e ligjit nuk duhet të interpretohen si vargje të poezisë hermetike, por secili prej këndit të vet, edhe pse me përjashtim të të Drejtës Penale që vlen parimi “Nollum crimen nulla poena sine lege”, në disiplinat tjera të drejtësisë lejohet interpretimi madje edhe plotësimi i vakumit juridik, por me metoda gjithsesi ligjore.
Pra, me përjashtim të ligjit penal, ligjeve të tjera mund t’u bëhej interpretim pse jo madje edhe interpretim logjik, historik, teleologjik-qëllimor etj., apo edhe mund të konsultoheshim me praktikën juridike apo precedentët juridikë. Lejohet, pse jo, edhe plotësimi i zbrazëtirave juridike me anë të analogjisë, interpretimit të ngushtë të përjashtimeve, “Argumentum a contrario, Argumentum a majori ad minus etj”.
Ligji është ligj dhe nuk duhet të shkelet nga askush, madje po bëhesha një militant i ligjit. Ligjin nuk duhet ta shkelë askush, e sidomos ata që janë të thirrur që ta zbatojnë atë. Polici, ushtari, gjyqtari, deputeti, ministri, kryeministri, presidenti, duhet të jenë shembull i respektimit të ligjit. Kështu vazhdoj të mendoj edhe sot.
Sot kemi ligje të panumërta. Nuk më kujtohet në këto çaste nëse kemi ndonjë segment apo fushë të caktuar që nuk e kemi mbuluar me ligj. Kemi ligj madje edhe për bletarinë dhe bujqësinë organike. Vetëm ligje që fillojnë me shkronjën A, janë mbi 30, e për ligje që fillojnë edhe me 35 shkronjat e tjera as të mos flasim, kemi ligje me bollëk. Problem me mungesë të ligjit nuk kemi, por problemet i kemi me mungesën e zbatimit të ligjit.
Ah, pardon, tani mu kujtua se na duhet vetëm edhe një ligj:
Ligji për respektim të ligjit.